Një sulm i rëndë terrorist ka tronditur Pakistanin, ku të paktën 12 oficerë policie kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur ndaj një komisariati policor.
Sipas autoriteteve lokale, një kamikaz shpërtheu një automjet të mbushur me eksploziv pranë një pike kontrolli, ndërsa menjëherë më pas persona të armatosur hapën zjarr ndaj forcave të policisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin Bannu. Zyrtari i policisë, Muhammad Sajjad Khan, konfirmoi se deri tani janë identifikuar 12 viktima nga radhët e policisë, ndërsa një efektiv tjetër rezulton ende i zhdukur.
Raportohet se edhe forcat e sigurisë që po shkonin drejt vendngjarjes ranë në një pritë të organizuar nga sulmuesit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur të tjerë.
Forcat e sigurisë kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetime intensive për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të sulmit.