Skip to content

Vrasja e vëllezërve Haklaj, SPAK merr një vendim të papritur

SPAK pezullon hetimet për kallëzimin e familjes Haklaj ndaj Sali Berishës dhe 15 personave të tjerë

Prokuroria e Posaçme ka vendosur të pezullojë hetimet lidhur me kallëzimin e bërë nga Ajshe dhe Muharrem Haklaj ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 15 personave të tjerë, për çështjen që lidhet me vrasjet e katër vëllezërve Haklaj: Shkëlqim, Halil, Fatmir dhe Ylli.

Pas një sërë veprimesh hetimore dhe marrjes në pyetje të disa personave, prokurorja Elida Kaçkini ka vendosur pezullimin e procedimit. Materialet e çështjes janë përcjellë pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme dhe sigurimin e provave.

Vendimi nuk është pranuar nga familja Haklaj, e cila kërkon që hetimet të vijojnë. Muharrem Haklaj dhe motra e tij, Ajshe Haklaj, i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me ankim, duke kërkuar rihapjen dhe vijimin e hetimeve mbi kallëzimin e depozituar në SPAK në korrik të vitit 2021. Ankimi pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.

Në kallëzimin e tyre, Ajshe dhe Muharrem Haklaj kanë ngritur akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke pretenduar se ai ka urdhëruar vrasjet e katër vëllezërve. Në të njëjtin kallëzim janë përfshirë edhe 15 persona të tjerë, të cilët familja i akuzon për përfshirje në një grup të armatosur dhe një organizatë kriminale.

Sipas pretendimeve të familjes Haklaj, këto struktura kanë vepruar nën urdhrat e ish-kryeministrit. Në kallëzim janë referuar akuza për vrasje me paramendim, krijim të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, kryerje të veprave penale në kuadër të tyre, si dhe akte terroriste.

Avokati i familjes, Idajet Beqiri, ka deklaruar se disponoheshin prova, dokumente, materiale filmike dhe dëshmi që, sipas tij, mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjeve.

Ajshe dhe Muharrem Haklaj, së bashku me familjarë të tjerë, kanë dëshmuar për disa orë në ambientet e SPAK, ku kanë paraqitur versionin e tyre për ngjarjet dhe materialet që pretendojnë se lidhen me vrasjet.

Pas veprimeve të kryera deri tani, SPAK ka vendosur pezullimin e çështjes dhe referimin e materialeve për veprime të tjera hetimore. Vendimi tashmë është kundërshtuar nga familja Haklaj në Gjykatën e Posaçme.

Vrasjet e katër vëllezërve Haklaj lidhen me një periudhë të gjatë konfliktesh dhe përplasjesh të armatosura në Tropojë. Familja Haklaj prej vitesh kërkon zbardhjen e ngjarjeve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të personave që ata i konsiderojnë përgjegjës.

Shkëlqim Haklaj u vra më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës.

Më 4 gusht 1999 u vra Halil Haklaj, ndërsa në të njëjtin atentat u plagos vëllai i tij, Fatmir Haklaj. Ky i fundit u vra rreth tre muaj më vonë, më 4 nëntor 1999, në Bujan.

Vëllai i fundit, Ylli Haklaj, u vra më 3 dhjetor 2000, në një atentat me snajper.

Katër vrasjet ndodhën brenda një periudhe prej rreth tre vitesh, në një kohë kur Tropoja përjetonte konflikte të ashpra dhe përplasje të armatosura. Çështja vijon të mbetet një nga historitë më të bujshme kriminale të asaj periudhe dhe familja Haklaj kërkon ende zbardhjen e plotë të saj.

Published inNews Shqip