Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka konfirmuar zyrtarisht se do të jetë pjesë e garës për drejtimin e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit.
Gjatë një interviste për News24, Binaj bëri të ditur se do të kandidojë si i pavarur, duke theksuar se nuk ka ndryshuar qëndrim nga ai që kishte mbajtur edhe në muajin nëntor të vitit të kaluar, përpara anulimit të zgjedhjeve.
Ai gjithashtu u shpreh se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike opozitare, duke i ftuar ato të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, pavarësisht dallimeve që mund të kenë në qasjen e tyre politike.
Binaj konfirmoi se kandidimi i tij është i vendosur, ndërsa theksoi se synon të ndërtojë një bashkëpunim me opozitën, pa hequr dorë nga statusi i kandidatit të pavarur.
“E konfirmoj pa diskutim kandidimin. I qëndroj asaj që kam thënë në nëntorin e kaluar, kur u anuluan zgjedhjet. Jam kandidat i pavarur që ua kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive të opozitës, për të krijuar një bashkëpunim që ka të njëjtin qëllim, por mënyra të ndryshme”, deklaroi Florjan Binaj në News24.
