TRAGJEDI NË KELMEND/ Alpinisti 40-vjeçar humb jetën pasi dyshohet se ra në humnerë
Një ngjarje tragjike është shënuar paraditen e së shtunës në Lëpushë të Kelmendit, në Malësinë e Madhe, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë në një humnerë.
Viktima është identifikuar si Florian Sini, rreth 40 vjeç, i cili sipas të dhënave të publikuara ishte i apasionuar pas alpinizmit dhe aktiviteteve në mal.
Ngjarja u raportua rreth orës 10:52, kur policia mori njoftimin se 40-vjeçari dyshohej se kishte rënë në një humnerë në fshatin Lëpushë, në Kelmend.
Shërbimet e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku konstatuan se Sini kishte marrë dëmtime të rënda dhe kishte humbur jetën.
“Rreth orës 10:52, Policia është njoftuar se shtetasi F. S., rreth 40 vjeç, dyshohet se ka rënë në një humnerë, në fshatin Lëpushë, Kelmend. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se, si pasojë e dëmtimeve të marra, 40-vjeçari ka humbur jetën”, njoftoi policia.
Florian Sini ishte i apasionuar pas maleve dhe alpinizmit, një pasion që këtë herë u kthye në një tragjedi të rëndë.
Rrethanat e plota të ngjarjes pritet të zbardhen në vijim të hetimeve.
