Skip to content

Zhvillim i fortë nga Haga/ Avokati i ish-krerëve të UÇK-së ndërmerr hapin surprizë para vendimit

Mbrojtja ka ngritur një sërë kundërshtimesh ndaj provave dhe argumenteve të paraqitura nga Prokuroria në procesin në Hagë, duke vënë në pikëpyetje origjinën dhe mënyrën se si janë siguruar disa prej dokumenteve të përdorura në çështje.

 

Gjatë parashtrimeve, mbrojtja deklaroi se argumentet e Prokurorisë nuk përputhen me provat e administruara në dosje. Një prej pikave të ngritura lidhet me pretendimin se dhënia e udhëzimeve një dëshmitari përbën pengim të dëshmisë. Sipas mbrojtjes, nuk është shpjeguar qartë se në ç’mënyrë një veprim i tillë mund të konsiderohet pengim.

 

Avokatët kundërshtuan gjithashtu referencat e Prokurorisë ndaj disa çështjeve që, sipas tyre, nuk janë pjesë e provave. U përmendën 11 dosje elektronike, për të cilat mbrojtja pretendon se personat e akuzuar nuk kanë pasur akses në versionet e paredaktuara.

 

Një tjetër çështje e ngritur ishte ajo e printimit të dokumenteve. Sipas mbrojtjes, printimet mund të jenë bërë në kuadër të nevojave të avokatëve dhe nuk është vërtetuar se dokumenti është printuar pikërisht në ditën kur pretendohet se është kryer veprimi hetimor.

 

Mbrojtja kërkoi gjithashtu sqarime mbi vendin dhe mënyrën se si është gjetur dhe sekuestruar dokumenti. Sipas saj, është thelbësore të përcaktohet se si dokumenti ka përfunduar në duart e gjykatës dhe nga kush është siguruar.

 

Në lidhje me një dokument të gjetur në banesën e Bashkim Smakajt, mbrojtja argumentoi se Prokuroria nuk ka qenë e qartë mbi origjinën e tij dhe mënyrën se si është administruar si provë. Sipas avokatëve, nga qëndrimi i Prokurorisë është krijuar përshtypja se ajo nuk synon të mbështetet në këtë dokument si pjesë e provave kryesore.

 

Mbrojtja kundërshtoi edhe përdorimin e dokumenteve të tjera, duke argumentuar se ato nuk janë siguruar dhe administruar në mënyrën e duhur për të shërbyer si prova në mbështetje të akuzave.

 

Një pjesë e veçantë e kundërshtimeve lidhej me një dokument të gjetur në një qese, ku disa të dhëna rezultojnë të redaktuara. Sipas mbrojtjes, nuk është e qartë nëse dokumenti është redaktuar dhe nga kush, ndërsa disa të dhëna, përfshirë emrin apo identitetin e personit, nuk janë të plota.

 

Avokatët ngritën pikëpyetje edhe për datën dhe rrethanat në të cilat dokumenti është gjetur apo është vendosur në qese. Sipas tyre, mungesa e këtyre të dhënave e bën të vështirë përcaktimin e origjinës dhe autenticitetit të dokumentit.

 

Në përfundim, mbrojtja argumentoi se këto materiale nuk duhet të konsiderohen prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat. Sipas saj, vetë Prokuroria ka pranuar se nuk është plotësisht e qartë origjina e disa prej dokumenteve dhe, për këtë arsye, atyre nuk duhet t’u jepet peshë e veçantë në vlerësimin e çështjes.

Published inNews Shqip