Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në reagimin e saj, MPJ-ja kroate ka theksuar se është në dijeni të aktgjykimit, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një vendim jo përfundimtar dhe se nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin përfundimtar të procedurës.
“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagim.
MPJ-ja e Kroacisë ka vlerësuar gjithashtu se aktgjykimi nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, duke rikujtuar se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagimin e MPJ-së kroate.
Në përfundim, Kroacia ka theksuar se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk duhet të përdoret për relativizimin e krimeve të kryera gjatë luftës, apo për të vënë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, përfundon reagimi.
