Tre të rinj shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë pas një aksidenti tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në rrugën Poseidonos, pranë Glyfadës në Greqi.
Aksidenti ndodhi rreth orës 02:00, në drejtim të Athinës. Sipas informacioneve paraprake, automjeti me pesë persona në bord ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta dhe është përplasur me forcë të madhe me gardhin e një hoteli.
Përplasja ka qenë shumë e rëndë, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në automjet. Pjesë të tij janë shpërndarë në një sipërfaqe të konsiderueshme pranë vendit të ngjarjes.
Si pasojë, shoferi 23-vjeçar dhe dy pasagjerë, përkatësisht 18 dhe 26 vjeç, kanë humbur jetën në vendngjarje.
Dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë, të dy 18 vjeç, janë nxjerrë nga automjeti nga ekipet e zjarrfikësve dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm Shtetëror të Nicës.
Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike. 18-vjeçari është intubuar dhe po trajtohet në Njësinë e Kujdesit Intensiv.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjet.
Ndërkohë, Policia Rrugore ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
