Skip to content

Rama: Kritikat e BE-së për dhunën policore ndaj protestuesve, kërkon hetim për çdo tejkalim të forcës

Kryeministri Edi Rama ka pranuar shqetësimet e ngritura në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, përfshirë edhe ato që lidhen me dhunën policore ndaj protestuesve dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga Policia.

Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e Bashkimit Europian, pas dorëzimit të progresraportit, Rama u ndal te gjetjet e dokumentit për protestat e muajve të fundit, duke theksuar se e drejta për protestë duhet të garantohet dhe çdo rast i mundshëm i tejkalimit të forcës nga policia duhet të hetohet.

Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut, duke e cilësuar atë si një rrugë të domosdoshme për bashkëjetesë dhe zgjidhjen e problematikave.

“Vonesat në gjykata, procesi gjyqësor, vonesat për çështjet e korrupsionit dhe përpjekjet e papërshtatshme mbi institucionet e drejtësisë. Raporti ngre shqetësime mbi mbikëqyrjen parlamentare dhe lirinë e medias. Ai trajton edhe protestat e muajve të fundit, duke evidentuar shqetësimet për dhunën dhe duke cituar pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Ndërkohë, dialogu nënvizohet si rruga ku duhet të angazhohemi seriozisht.

Asnjë konstatim i raportit nuk mund të anashkalohet. E drejta për protestë duhet garantuar, ndërsa dhuna duhet të dënohet moralisht dhe ligjërisht. Çdo pretendim për tejkalim të forcës nga policia duhet të hetohet. Dialogu është kusht për bashkëjetesë dhe ne, si qeveri, kemi përgjegjësi të qartë për ta mundësuar atë”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se nuk dëshiron të ndalet vetëm te vlerësimet pozitive të raportit, por edhe te problematikat e evidentuara, duke nënvizuar se përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian nuk përjashton nevojën për adresimin e çështjeve që mbeten ende shqetësuese.

Published inNews Shqip