Një moment emocionues u përjetua në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ku tre motra nga Pirgu i Korçës kishin ftuar në studio vëllain e tyre 15-vjeçar, Roxhensin.
Kristina, Alberta dhe Vojsava treguan se kishin ardhur me një kërkesë të veçantë për vëllain e tyre. Babai i tyre e konsideron Roxhensin si trashëgimtarin e vetëm, edhe pse familja ka gjithsej shtatë fëmijë. Motrat dëshironin që ai t’u premtonte se pasuria e familjes do të ndahej në mënyrë të barabartë mes të shtatë fëmijëve.
Prindërit ndodheshin gjithashtu në studio. Nëna e tyre fillimisht i keqkuptoi vajzat dhe u shpreh e zhgënjyer, duke i akuzuar se ishin treguar të pabesa, pasi sipas saj, kur ishte diskutuar më herët për trashëgiminë, ato nuk kishin kundërshtuar.
Kur Roxhensi hyri në studio dhe pa motrat, ai u emocionua dhe u përlot. Motrat i shpjeguan arsyen e ftesës, ndërsa 15-vjeçari tha se nuk mund të merrte një vendim të tillë pa folur më parë me babain.
Megjithatë, pas insistimit të motrave, Roxhensi u dha një përgjigje që emocionoi të gjithë. Ai u premtoi se secila prej tyre do të merrte atë që i takonte.
I pyetur se si mund të hiqte dorë kaq lehtë nga pasuria, 15-vjeçari dha një përgjigje që la të gjithë pa fjalë:
“Pasuria më e madhe nuk janë gjërat materiale, por familja. Ajo ia jep të gjithë pasurinë njeriut.”
Në fund, motrat zbuluan se gjithçka kishte qenë një lojë për të provuar vëllain e tyre. Ato i thanë Roxhensit se ai e meritonte pasurinë dhe se qëllimi i tyre ishte vetëm të shihnin reagimin e tij.
Emocionet kulmuan me një përqafim mes katër vëllezërve e motrave, duke sjellë një moment të veçantë familjar në studio.
