Tragjedi në Itali: 6-vjeçari humb jetën pasi dyshohet se u mbyt nga një kafshatë ushqimi
Një ngjarje tragjike është regjistruar në provincën e Chietit, në Itali, ku një fëmijë 6-vjeçar ka humbur jetën pas një krize të rëndë të frymëmarrjes, teksa ishte duke ngrënë në shtëpi.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të së mërkurës. Nga rindërtimi paraprak dyshohet se një kafshatë ushqimi i ka bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Fëmija sapo kishte nisur klasën e parë.
Prindërit reaguan menjëherë, duke tentuar t’i çlironin rrugët e frymëmarrjes dhe duke njoftuar shërbimet e emergjencës. Për shkak të gjendjes së rënduar, ata e transportuan me automjetin e tyre drejt pikës së ndihmës së parë në Casoli.
Pas mbërritjes, mjekët nisën menjëherë manovrat e reanimimit. Ndërkohë, u aktivizua edhe një helikopter për transportimin e fëmijës drejt spitalit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fëmija nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë para se të realizohej transportimi.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes. Aktualisht, hipoteza kryesore është mbytja e shkaktuar nga një kafshatë ushqimi, por autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
