Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është dashur të reagojë publikisht lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.
Në një prononcim për “Zërin”, Lushtaku tha se Qeveria, pavarësisht dallimeve politike, është dashur të dalë me një qëndrim zyrtar për këtë proces.
“Qeveria është dashur së paku të dalë me një deklaratë për këtë proces. Është Qeveri e Kosovës, pavarësisht bindjeve tona politike”, tha Lushtaku.
I pyetur nëse ka shqetësim për mundësinë e një aktakuze të re apo arrestimit të tij, Lushtaku u shpreh se nuk ka arsye të frikësohet.
“Jo, tamam puna me ia nis mu frikësu, absolutisht jo”, deklaroi ai.
Lushtaku foli edhe për qëndrimin e tij ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai tha se vazhdon të mos ketë besim në këtë institucion, duke komentuar edhe mundësinë që Gjykata e Apelit të rrëzojë vendimin e shkallës së parë, i cili dënoi me gjithsej 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së.
“Unë nuk besoj dhe nuk i kam besuar dhe vazhdoj të mos i besoj kësaj”, u shpreh Lushtaku.
