Skip to content

Arrestohet me urdhër të SPAK, zbulohet identiteti i të arrestuarit në Shkodër

Bledar Cafi, i njohur edhe me mbiemrin Bokrri, është arrestuar në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Shkodër, në kuadër të një operacioni të drejtuar nga SPAK.

Operacioni, i koduar “Muri i Lartë”, u zhvillua nga Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, më 25 shtator 2026, Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj Cafit masën e sigurisë “Arrest me burg”.

SPAK e dyshon atë për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Historia e mëparshme me drejtësinë

Arrestimi i fundit nuk është hera e parë që emri i Bledar Cafit është përmendur në çështje që lidhen me trafikimin e narkotikëve.

Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.

Në janar të vitit 2021, Cafi u arrestua në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në atë kohë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, të cilat e kërkonin për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”.

Në njoftimin e asaj kohe, Policia e Shtetit bëri me dije se 41-vjeçari ishte kapur në Shkodër dhe do të ekstradohej drejt Italisë për vuajtjen e dënimit.

Emri i tij në raportet e Policisë së Shtetit

Bledar Cafi është përmendur gjithashtu në një raport të Policisë së Shtetit, ku thuhej se ai dhe vëllai i tij, Gëzim Cafi, ishin objekt verifikimesh nga Operacioni Forca e Ligjit.

Raporti i referohej të dhënave mbi dënimet e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe pasurive dhe aktiviteteve ekonomike të familjes.

Sipas dokumentit, Cafi kishte zhvilluar disa aktivitete biznesi në Shqipëri, përfshirë një bar-kafe, aktivitet në sektorin e peshkimit në lumin Buna, si dhe një njësi për tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore në Shkodër.

Arrestimi i fundit

Pesë vite pas arrestimit në kuadër të procedurave të drejtësisë italiane, Bledar Cafi është sërish në pranga.

Këtë herë, arrestimi i tij lidhet me një hetim të SPAK, në kuadër të operacionit “Muri i Lartë”.

Gjatë të njëjtit operacion, Policia e Shtetit dhe BKH-ja kanë zhvilluar kontrolle edhe për lokalizimin dhe kapjen e Endrit Dokles, i njohur edhe si Indrit Dokle.

Dokle është shpallur në kërkim që prej vitit 2024. Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, në lidhje me akuza për trafikim narkotikësh dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Published inNews Shqip