Një bilanc tragjik është shënuar pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit në rrënojat e një godine që u shemb pas një shpërthimi të fuqishëm, të premten, më 25 shtator, në zonën e Plakës, në qendër të Athinës.
Pas orëve të kërkimeve, forcat zjarrfikëse dhe ekipet e EMAK-ut kanë nxjerrë nga rrënojat trupat e gjashtë personave që rezultonin të zhdukur. Mes viktimave raportohet se ndodheshin edhe shtetas shqiptarë.
Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, në mesin e viktimave janë Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick. Çifti ishte martuar së fundmi dhe ndodhej në Greqi për muajin e mjaltit.
Në tragjedi humbën jetën edhe vëllai i Florindës, Florin Hoxha, dhe bashkëshortja e tij, Eris Çani.
Sipas raportimeve, çifti po qëndronte në të njëjtën godinë dhe, mësohet, ishte në pritje të një fëmije.
Mediat greke kanë publikuar gjithashtu fotografitë e personave që humbën jetën në ngjarjen tragjike.
