Kukësi përfshihet nga moti i ftohtë, reshje bore në zonat e larta të Tropojës
Qarku i Kukësit është përfshirë gjatë orëve të fundit nga një përkeqësim i kushteve atmosferike, me ulje të temperaturave dhe reshje shiu me intensitet të moderuar.
Reshjet kanë sjellë edhe rënie gurësh dhe inertesh në disa segmente rrugore. Gjatë mëngjesit të sotëm, prezencë gurësh dhe dherash është evidentuar në akset e Shishtavecit, Valbonës, Qafës së Malit dhe Bushtricës.
Ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë në këto zona për pastrimin e rrugëve dhe largimin e materialeve të rëna. Sipas autoriteteve, aktualisht të gjitha akset janë të kalueshme dhe nuk raportohet për probleme me qarkullimin e automjeteve.
Ndërkohë, në bashkinë Tropojë, temperaturat e ulëta kanë sjellë edhe reshjet e para të borës në zonat e larta malore. Gjatë pasdites së djeshme, dëborë është regjistruar kryesisht në bjeshkët e Markofçës, ku vijojnë të qëndrojnë banorë në stane.
Autoritetet bëjnë me dije se reshjet e borës kanë qenë të pakta dhe nuk kanë shkaktuar probleme në zonë.
Ulja e temperaturave, së bashku me reshjet e shiut dhe borës, ka sjellë një atmosferë tipike vjeshtore në Kukës, ndërsa shërbimet e mirëmbajtjes vijojnë monitorimin e rrugëve për të garantuar qarkullimin normal.
