Nafta në Shqipëri ndër më të shtrenjtat në Europë
Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 229 lekë për litër, ose rreth 2.46 euro, duke e renditur vendin ndër shtetet europiane me çmimin më të lartë të karburantit.
Sipas të dhënave të raportuara nga Monitor, Shqipëria renditet pas Danimarkës, me rreth 2.60 euro për litër, dhe Norvegjisë, me rreth 2.56 euro.
Në vendet e rajonit, çmimet janë më të ulëta. Në Serbi nafta kushton rreth 2 euro, në Mal të Zi rreth 1.87 euro, në Kosovë 1.85 euro, në Bosnjë dhe Hercegovinë rreth 1.76 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 1.64 euro për litër.
Mesatarja e çmimit në vendet europiane të përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.
Por kostoja për konsumatorin shqiptar nuk lidhet vetëm me çmimin e karburantit. Në raport me të ardhurat, një litër naftë përfaqëson një barrë më të madhe financiare, duke e bërë furnizimin e automjeteve më të kushtueshëm për familjet.
Ndërkohë, edhe benzina ka arritur në nivele të larta, duke u shitur rreth 219 lekë për litër.
Sipas Monitor, rritja e çmimeve po ndodh në një kohë kur nuk janë ndërmarrë masa të reja për të lehtësuar ndikimin te qytetarët dhe bizneset. Skema që parashikon uljen me 20% të akcizës aktivizohet kur nafta kalon 220 lekë dhe benzina 200 lekë për litër, ndërsa zbatimi i saj lidhet me vendimmarrjen e Bordit përkatës.
Burimi: Monitor.al
