Skip to content

Tragjedi në familje! Nëna dhe vajza ndahen nga jeta, vetëm 10 orë larg njëra-tjetrës

Një histori e dhimbshme ka prekur një familje në Brazil, ku një nënë dhe vajza e saj humbën jetën nga kanceri, vetëm 10 orë larg njëra-tjetrës.

Cibele Marchis, 28 vjeçe, ndërroi jetë të enjten rreth orës 16:00, në një spital në Mogi Guaçu, pas një beteje me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit të gjëndrës mbiveshkore. Vetëm 10 orë më vonë, rreth orës 02:00 të së premtes, ndërroi jetë edhe nëna e saj, Maria Elisabete Nogueira, 56 vjeçe, e cila po trajtohej në një tjetër spital të qytetit.

Cibele ishte diagnostikuar me sëmundjen në vitin 2024. Ajo iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve me kimioterapi, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe vazhdoi të punonte dhe të ndante publikisht përvojën e saj me sëmundjen.

Rreth një vit më vonë, edhe Maria mori një diagnozë të rëndë. Ajo u diagnostikua me kancer në pankreas, pasi fillimisht kishte kërkuar ndihmë mjekësore për dhimbje që i kishte lidhur me problemet e tëmthit. Ekzaminimet zbuluan se pas dhimbjeve fshihej një tumor.

Në këtë betejë të vështirë, nëna dhe vajza u bënë mbështetja më e madhe për njëra-tjetrën. Familjarët tregojnë se Maria kishte agjëruar për 24 orë dhe ishte lutur për shërimin e vajzës së saj.

Për një periudhë, gjendja e Cibeles u përmirësua, por më vonë sëmundja u rëndua sërish dhe ajo u shtrua në spital. Në të njëjtën kohë, gjendja e Marias po përkeqësohej me shpejtësi. Dhimbjet u bënë të forta dhe ajo kishte nevojë për trajtim me morfinë.

Më 17 shtator, Maria u shtrua në spital, ku qëndroi deri në momentet e fundit të jetës.

Takimi i fundit mes nënës dhe vajzës ndodhi gjatë një vizite të Cibeles në spitalin ku po trajtohej Maria. Pak ditë më vonë, edhe 28-vjeçarja u shtrua për trajtim.

Familja u përball kështu me një tragjedi të dyfishtë. Fillimisht mori lajmin për vdekjen e Cibeles dhe, vetëm disa orë më vonë, mësoi se kishte ndërruar jetë edhe Maria.

Cibele ishte fëmija i vetëm i familjes. Pas humbjes së vajzës dhe bashkëshortes, babai i saj mbeti i vetëm.

Një prej detajeve më prekëse të kësaj historie është dëshira që nënë e bijë kishin shprehur më herët: nëse njëra prej tyre do të ndërronte jetë, tjetra të mos e merrte vesh lajmin sa ishte ende gjallë. Sipas familjarëve, kjo dëshirë u realizua.

Në fund, nënë e bijë u përcollën së bashku në banesën e fundit, në një ceremoni të përbashkët mortore, ku morën pjesë familjarë dhe miq të tyre.

Published inNews Shqip