Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë mëngjesin e sotëm duke u larguar nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, rreth dy orë para nisjes së seancës plenare, e cila është paraparë të nisë në orën 11:00.
Seanca e sotme zhvillohet në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike dhe institucionale në vend, ndërsa vëmendja është përqendruar te takimet e fundit të Kurtit me drejtuesit e partive opozitare.
Teksa po largohej nga Kuvendi, Kurti u pyet nga gazetarët për takimin e zhvilluar një natë më parë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Kryeministri nuk dha detaje dhe nuk komentoi përmbajtjen e bisedës.
Hamza ishte parë të dielën në mbrëmje duke dalë nga objekti i Qeverisë, pas takimit me Kurtin. Deri në orët e vona të mbrëmjes, asnjëri prej tyre nuk kishte dhënë një version zyrtar mbi temat e diskutuara gjatë takimit.
Në raportimet e deritanishme janë përmendur disa çështje të mundshme që mund të jenë diskutuar, përfshirë zhvillimet në Kuvend, çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe nismat që lidhen me Dhomat e Specializuara. Megjithatë, këto raportime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga palët.
Në të njëjtën kohë, bashkë me Kurtin nga Kuvendi drejt objektit të Qeverisë është parë edhe ministri Hekuran Murati.
Murati ka qenë pjesë e ekipit të Kurtit edhe gjatë bisedimeve me LDK-në për çështjen e presidentit. Në takimin e zhvilluar më 26 gusht me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti kishte bërë të ditur se në ekipin e LVV-së për këto diskutime ishin Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci. Në atë takim, palët kishin diskutuar edhe emra konkretë për postin e presidentit.
Zhvillimet e sotme vijnë pas një serie takimesh politike të zhvilluara nga Kurti në prag të seancës së Kuvendit, përfshirë takimet e ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
