Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka çuar përpara planin për ndryshimin e dy ambasadorëve shqiptarë në rajon, konkretisht në Shkup dhe Prishtinë.
Pas kthimit të kryeministrit Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara, pritet të formalizohen dy lëvizje diplomatike, të cilat tashmë kanë hyrë në procedurat parlamentare.
Një anëtar i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme i ka bërë të ditur gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se më 9 tetor pritet të zhvillohen dy dëgjesa për ambasadorët e propozuar, në kuadër të një rokade mes dy përfaqësive diplomatike.
Ambasadori aktual i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, pritet të dëgjohet në komision si kandidat për të marrë drejtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.
Në të njëjtën kohë, Petrit Malaj, i cili prej rreth tre vitesh shërben si ambasador i Shqipërisë në Kosovë, pritet të paraqesë platformën e tij për drejtimin e Ambasadës shqiptare në Shkup.
Ende nuk është bërë publik relacioni shoqërues i ministrit Ferit Hoxha, ku pritet të argumentohet arsyeja e këtyre dy ndryshimeve diplomatike.
Zanafilla e lëvizjeve është raportuar për herë të parë në muajin maj, kur ambasadori Denion Meidani u shfaq në krah të protestave të studentëve shqiptarë në Shkup. Në atë kohë pati raportime se ministri Hoxha kishte marrë ankesa nga VMRO-DPMNE dhe aleati i saj shqiptar, VLEN, lidhur me qëndrimet dhe rolin e ambasadorit shqiptar gjatë protestave.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i mohoi këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara. Në reagimin e saj, ministria theksoi se emërimet dhe lëvizjet diplomatike bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe bazohen në analiza profesionale e institucionale, me synim përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore dhe zbatimin e prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ndryshimet në Shkup dhe Prishtinë nuk janë të vetmet lëvizje në trupën diplomatike shqiptare.
Javën e kaluar, në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme u zhvillua dëgjesa me ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi. Atij i është besuar drejtimi i Misionit të Shqipërisë në OSBE në Vjenë.
Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar emri i ambasadorit të ri të Shqipërisë në Britaninë e Madhe.
Denion Meidani e ka ndërtuar mandatin e tij në Shkup përmes një diplomacie aktive dhe të pranishme në çështjet që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai është angazhuar në çështje si avancimi i projektit One Stop Shop, shpërndarja e Abetares së Unifikuar dhe mbështetja për iniciativa që lidhen me komunitetin shqiptar.
Një prej çështjeve ku ambasadori Meidani është angazhuar publikisht ka qenë edhe kërkesa e studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Tashmë, nëse propozimet miratohen pas procedurave përkatëse, Meidani dhe Malaj pritet të shkëmbejnë postet diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës.
