Pas zhvillimeve të fundit rreth Shërbimit Informativ Shtetëror, ku drejtuesja Vlora Hyseni dyshohet se i ka përcjellë informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të dosjes “AKSHI”, ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e sheh zgjidhjen te vullneti politik, ndërsa shpresën te Zoti.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, Lleshaj solli në vëmendje historinë e mbijetesës së shqiptarëve ndër vite, duke iu referuar periudhave të trazuara nga viti 1913 deri në vitin 1997.
“Zgjidhje ka përherë nëse ka vullnet. Është një shprehje e Fishtës: ‘Zoti ka me rujt Shqipërinë për inat të shqiptarëve’. Ne kemi një marrëdhënie të tillë me Zotin, që na ruan përherë. Çuditërisht, na ka ruajtur edhe kur kemi punuar kundër saj. Kujto vitin 1913, me ato lëvizjet që luftonin shqiptarët kundër pavarësisë së saj. Kujto vitin ’97. Dhe çuditërisht kemi dalë. Nuk e shpjegoj dot në mënyrë racionale këtë mbijetesën tonë, sepse në mënyrë racionale do të kishim humbur deri sot”, u shpreh ai.
Lleshaj shtoi se beson se edhe në të ardhmen Shqipëria do të ruhet, pavarësisht gabimeve të shqiptarëve.
“Zoti na ruan edhe kur punojmë keq, na ka ruajtur Zoti. Edhe këtë e besoj unë, që Zoti do ta ruajë Shqipërinë edhe për inat të shqiptarëve që punojnë kundër saj”, tha ish-ministri.
Sipas tij, një nga problemet kryesore që duhet të ndryshojë është mënyra se si emërohen në poste publike persona pa një eksperiencë dhe të kaluar të provuar.
“Lehtësia me të cilën trajtojmë çështjet dhe lehtësia me të cilën dorëzojmë postet publike në duar krejtësisht të panjohura e të paprovuara duhet të ndryshojë. Kjo lehtësi na kushton shumë”, deklaroi Lleshaj.
Ai theksoi se mbajtja e posteve të rëndësishme publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe me një të kaluar profesionale të verifikueshme.
“Kur ti vjen në një post publik, duhet të lësh peng diçka, që është e kaluara jote. Duhet të jesh me një të kaluar të provuar, ku dëmi yt kolateral është i menaxhueshëm. Kur shkon lart, dëmi është katastrofik.
Këtu nuk duhet të kesh asnjë risk. Te ministri, deputeti, drejtuesit e agjencive të mëdha, risku duhet të jetë zero. E kundërta nuk menaxhohet më”, u shpreh ai.
Në vijim, Lleshaj foli edhe për ndikimin që drejtuesit kanë te vartësit e tyre, duke argumentuar se sjellja e shefit shpesh përcakton edhe mënyrën se si funksionon institucioni.
“Një punonjës, kur sheh cedimet e shefit të tij katastrofike, ndjehet keq dhe unë besoj që vartësit imitojnë shefin e tyre dhe sillen si ai. Nëse shefi është kërkues dhe korrekt, ashtu janë të gjithë”, përfundoi ish-ministri i Brendshëm.
