Në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon dhe ushtria ruse përballet me sfida në terren, presidenti Vladimir Putin ka firmosur një dekret të ri për rritjen e numrit të personelit të forcave të armatosura ruse.
Sipas dekretit, numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë do të rritet në mbi 2.44 milionë persona. Prej tyre, rreth 1.55 milionë do të jenë ushtarakë aktivë, pra pjesëtarë të forcave të armatosura.
Bëhet fjalë për rritjen e katërt të forcave ruse gjatë këtij viti. Me vendimin e ri, numri i përgjithshëm i personelit shtohet me 49,860 persona, ndërsa kontingjenti i ushtarakëve aktivë rritet me 47,860.
Dekreti është nënshkruar më 28 shtator dhe ka hyrë menjëherë në fuqi.
Në kuadër të vendimit, qeveria ruse është ngarkuar të sigurojë nga buxheti federal fondet e nevojshme për Ministrinë e Mbrojtjes, për të përballuar shpenzimet që lidhen me zgjerimin e personelit të forcave të armatosura.
Të dhënat e publikuara tregojnë se ky është një tjetër zgjerim i strukturës ushtarake ruse gjatë vitit 2026, ndërsa që nga nisja e luftës në Ukrainë, numri i forcave është rritur disa herë.
