Skip to content

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë/ Zbardhen fjalët e Ramës për Vlora Hysenin

Që në orët e para të mëngjesit të së hënës, Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur në një moment të ndjeshëm për institucionet e sigurisë, pas masës së arrestit ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Në fokus të diskutimeve ishte situata e krijuar dhe ndikimi që kjo çështje mund të ketë në funksionimin e institucioneve të sigurisë, si dhe në bashkëpunimin dhe koordinimin mes tyre.

Sipas burimeve të Top Channel, një prej çështjeve të ngritura gjatë mbledhjes lidhej me verifikimet e kryera brenda SHISH pas caktimit të masës së sigurisë ndaj ish-drejtoreshës.

Kreu i komanduar i SHISH, Elvis Lila, mësohet të ketë deklaruar se, pas një auditimi të kryer në mënyrë konfidenciale në institucion, nuk është konstatuar nxjerrja nga SHISH e dokumenteve apo materialeve që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit.

Gjatë diskutimeve është vënë theksi edhe te detyrimi ligjor i institucioneve të sigurisë për mbledhjen, administrimin dhe ruajtjen e informacionit të klasifikuar. Në të njëjtën kohë, është nënvizuar nevoja për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe më të mirëkoordinuar mes strukturave shtetërore që kanë përgjegjësi në këtë fushë.

Në mbledhje ka marrë fjalën edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho. Ai mësohet t’u ketë shpjeguar drejtuesve të institucioneve të pranishme arsyet që kanë çuar SPAK-un drejt kërkesës për caktimin e masës së sigurimit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH.

Sipas burimeve, Braho ka bërë të ditur se vendimmarrja e prokurorëve është mbështetur në prova të administruara në kuadër të hetimit, përfshirë materiale të klasifikuara dhe të dhëna të siguruara gjatë veprimeve hetimore, mes tyre edhe kontrolle të kryera në banesa.

Kreu i SPAK mësohet të ketë sqaruar se, pas administrimit dhe vlerësimit të provave nga grupi i hetimit, prokurorët kanë vlerësuar se ekzistonin kushtet ligjore për t’iu drejtuar gjykatës me kërkesën për caktimin e një mase sigurie. Vendimmarrja, sipas tij, është marrë në kuadër të një hetimi penal.

Një tjetër pikë e diskutimit ka qenë përgjegjësia institucionale dhe mënyra e menaxhimit të situatës, me synim që një çështje individuale të mos ndikojë në funksionimin e përgjithshëm apo në besimin ndaj institucioneve të sigurisë.

Sipas të njëjtave burime, kryeministri Edi Rama ka theksuar gjatë mbledhjes se përgjegjësia është individuale. Ai mësohet të ketë kërkuar gjithashtu gjetjen e mekanizmave të rinj për forcimin e ndërveprimit dhe koordinimit mes institucioneve, me synim mbrojtjen e interesit dhe sigurisë kombëtare.

Edhe presidenti Bajram Begaj, i cili thirri mbledhjen e jashtëzakonshme, ka përcaktuar detyra për institucionet dhe ka vënë theksin te ruajtja e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Begaj ka bërë të qartë se nuk duhet të ketë ndërhyrje në punën e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa ka kërkuar që institucionet të respektojnë pavarësinë e procesit të drejtësisë.

Më herët, presidenti kishte bërë të ditur se qëllimi i mbledhjes ishte diskutimi i situatës së krijuar dhe masave që duhen ndërmarrë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimit me partnerët dhe aleatët, si dhe ruajtjen e besimit të publikut te institucionet e sigurisë.

Në përfundim të mbledhjes, mesazhi kryesor ishte se institucionet që kanë përgjegjësi në fushën e sigurisë kombëtare duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinohen, në funksion të interesit shtetëror.

Presidenti Begaj ka theksuar gjithashtu se hetimet e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe të respektohen nga të gjitha institucionet. Sipas tij, çështjet individuale nuk duhet të shndërrohen në një krizë besimi ndaj shtetit apo strukturave përgjegjëse për sigurinë kombëtare.

Published inNews Shqip