SPAK i ka refuzuar kërkesën Këshillit Bashkiak të Tiranës për të mundësuar pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e sotme, e cila ishte planifikuar të zhvillohej në orën 15:00.
Këshilli Bashkiak kishte kërkuar që Veliaj të lejohej të merrte pjesë fizikisht në mbledhje ose, në pamundësi të kësaj, të ndiqte punimet përmes videokonferencës. Kërkesa i ishte drejtuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas informacionit, SPAK ka refuzuar kërkesën duke iu referuar dispozitave të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i cili përcakton të drejtat dhe trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përgjegjëse.
Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se prania e kryetarit të Bashkisë ishte e nevojshme për diskutimin e çështjeve që lidhen me administrimin e Tiranës. Në rendin e ditës së mbledhjes ishte përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në kërkesën drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak iu referua gjithashtu vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryebashkiakut në mbledhjet e Këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim dhe vijon të jetë nën masën e arrestit në burg. Më 15 shtator, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë ndaj tij, pas rishqyrtimit të çështjes në zbatim të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.
