Një konflikt mes dy banorëve në fshatin Sovjan të Maliqit ka përfunduar me plagosjen me thikë të njërit prej tyre këtë të martë.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja dyshohet se ka nisur për motive që lidhen me pronësinë e një sipërfaqeje toke. Gjatë konfliktit, njëri prej personave është goditur me mjet prerës.
I plagosuri është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, ku po merr trajtimin e nevojshëm dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të dokumentuar rrethanat e konfliktit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
