Detaje të reja janë bërë publike lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur me një Boeing 787-9 të Vietnam Airlines në aeroportin e Mynihut. Avioni arriti të shkëputej nga toka vetëm pasi kishte kaluar fundin e pistës dhe kishte hyrë në zonën me bar.
Sipas raportit paraprak të autoriteteve gjermane për hetimin e incidentit, të dhënat e regjistruesve tregojnë se gjatë fazës së ngritjes janë aktivizuar frenat. Ende nuk është përcaktuar nëse frenimi është kryer nga piloti apo nëse aktivizimi ka ardhur si pasojë e një defekti teknik.
Në bordin e avionit ndodheshin 271 pasagjerë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit. Boeing-u, me një peshë prej rreth 241 tonësh, po përshkonte pistën 4 kilometra të gjatë, ndërsa për afro 18 sekonda shpejtësia mbeti në rreth 310 km/h. Shpejtësia e parashikuar për ngritjen ishte rreth 324 km/h.
Avioni u ngrit pasi kishte kaluar tashmë kufirin e pistës, ndërsa gjurmët e gomave u konstatuan për rreth 240 metra në sipërfaqen me bar. Incidenti shkaktoi panik mes personave në bord. Gjatë daljes nga pista, bishti dhe rrotat e avionit goditën disa pjesë të sistemit të ndriçimit, duke dëmtuar rreth 20 drita. Gjithashtu, avioni dhe katër goma pësuan dëmtime.
Pas incidentit, ekuipazhi vendosi të rikthehej në Mynih. Për të ulur peshën e avionit, u hodhën rreth 62 tonë karburant gjatë një periudhe prej 45 minutash.
Para uljes, avioni kaloi dy herë mbi aeroport me trenin e uljes të hapur, në mënyrë që të kontrollohej nga ekipet në tokë. Në përpjekjen e tretë, Boeing-u u ul me sukses.
Pavarësisht situatës së rrezikshme, asnjë prej 287 personave në bord nuk pësoi lëndime. Hetimi vijon për të përcaktuar shkakun e saktë të aktivizimit të frenave gjatë ngritjes.
