Kryeministri Edi Rama prezantoi disa nga ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, në kuadër të reformës në drejtësi, duke u ndalur veçanërisht te masat e sigurisë dhe përdorimi i paraburgimit.
Rama deklaroi se gjykatat duhet ta nisin vlerësimin nga liria e personit dhe të shqyrtojnë fillimisht masat më të buta të sigurisë, përpara se të vendosin për masa shtrënguese.
Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim deri në 3 vite burg nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të aplikohet masa e arrestit me burg.
“Procedimi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria dhe të shqyrtojë masat më të buta, duke nisur nga arresti në shtëpi”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se vetëm natyra e veprës penale nuk do të jetë e mjaftueshme për vendosjen e një mase sigurie. Sipas tij, rreziku duhet të jetë konkret dhe aktual, ndërsa gjykata duhet të kryejë një vlerësim të pavarur të çështjes.
Rama tha se në rastet kur vendoset arresti, gjykata duhet të marrë në konsideratë edhe gjendjen pasurore të personit. Po ashtu, prokurori do të duhet t’i raportojë çdo muaj gjykatës nëse vazhdojnë të ekzistojnë arsyet që justifikojnë masën e sigurisë.
Sipas kryeministrit, paketa e ndryshimeve synon të forcojë edhe mbrojtjen e personave në gjendje të cenueshme.
“Paraburgimi, që sipas Kushtetutës duhet të jetë masa e fundit në Shqipëri, është bërë qendra. Kjo paketë është një përgjigje konkrete ndaj një problemi real dhe vjen si një arkitekturë e vetme dhe koherente”, deklaroi Rama.
