Revoltë në burgun “Don Bosco” në Pisa, rreth 40 të dënuar përplasen me forcat e sigurisë
PISA – Tensionet kanë përfshirë burgun “Don Bosco” në Pisa të Italisë, ku rreth 40 të dënuar, mes tyre edhe shtetas shqiptarë, janë përfshirë në një revoltë brenda institucionit penitenciar.
Sipas raportimeve, situata është përshkallëzuar pasi disa prej të burgosurve pretendohet se kanë zbuluar pajisje përgjimi dhe mjete të tjera elektronike në ambientet e qelive. Në shenjë proteste, të dënuarit janë barrikaduar në një nga repartet e burgut, duke përdorur frigoriferë dhe orendi për të penguar hyrjet.
Ngjarja është transmetuar edhe në rrjetet sociale. Një prej të dënuarve dyshohet se ka përdorur një telefon celular, ndonëse pajisje të tilla nuk lejohen në ambientet e burgut, dhe ka realizuar një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok. Sipas raportimeve, transmetimi është ndjekur nga mijëra persona.
Gjatë videove të publikuara online, disa prej të dënuarve kanë ngritur akuza për përdorim force nga punonjësit e sigurisë, duke pretenduar se ndaj tyre janë përdorur edhe shkopinj gome.
Megjithatë, këto janë deklarata të bëra nga të dënuarit dhe, në mungesë të verifikimeve të pavarura, nuk mund të konsiderohen si konfirmim i rrethanave të përplasjes.
