Një rast i pazakontë i raportuar në SHBA, ku një prind kishte shprehur dëshirën për t’u martuar me fëmijën e tij, ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka hapur diskutime mbi martesat brenda familjes.
E ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, psikologia Denata Toçe u shpreh se raste të tilla janë hasur në disa komunitete të caktuara në vende si Turqia apo disa zona të Afrikës, ku martesat brenda familjes janë të lidhura me tradita dhe zakone lokale.
Ndërkohë, Marsida Simo foli për raste të martesave mes kushërinjve të dytë apo të tretë edhe në Shqipëri, duke përmendur veçanërisht disa zona në jug të vendit.
Sipas saj, ndikimi i zakoneve tradicionale ka qenë i ndryshëm nga njëra krahinë në tjetrën. Ajo argumentoi se në disa komunitete martesat brenda rrethit familjar janë ruajtur ndër vite, jo vetëm për arsye që lidhen me pronën, por edhe për shkak të traditave dhe kulturës.
“Martesa mes të afërmve është hasur në disa qytete të jugut, si Korça, Gjirokastra dhe zona të tjera”, u shpreh Simo gjatë emisionit.
