Skip to content

Ndryshon moti nga e enjtja! Meteorologët japin paralajmërimin e fundit

Moti ndryshon gjatë ditëve në vijim, temperaturat në rënie dhe rikthehen reshjet

 

Moti do të pësojë një ndryshim gradual gjatë ditëve në vijim, me temperatura më të ulëta dhe rikthim të reshjeve në disa zona të vendit.

 

Sipas meteorologes Tanja Porja, dita e sotme do të mbetet relativisht e ngrohtë, me temperatura maksimale që mund të arrijnë deri në 27°C. Megjithatë, nga e enjtja pritet një ulje e mëtejshme e temperaturave, duke sjellë një mot më tipik për muajin tetor.

 

Gjatë ditës së sotme do të ketë alternime të kthjellimeve me vranësira, të cilat do të bëhen më të dendura kryesisht gjatë pasdites dhe në zonat malore. Nuk priten reshje të konsiderueshme në territor.

 

Mëngjesi do të jetë i freskët, me temperatura që variojnë nga 5°C deri në 8°C në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta dhe përgjatë bregdetit temperaturat do të luhaten nga 11°C deri në 15°C.

 

Edhe dita e nesërme do të karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira të herëpashershme. Temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, veçanërisht në veri dhe në zonat lindore, ndërsa në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore temperaturat mund të mbeten pranë 27°C.

 

Nga e enjtja nis freskimi më i ndjeshëm. Temperaturat e mesditës do të ulen me rreth 2°C, ndërsa të premten rënia e temperaturave do të jetë më e dukshme në veri dhe në qendër të vendit.

 

E premtja pritet të sjellë gjithashtu rrebeshe afatshkurtra shiu, kryesisht në zonat veriperëndimore, ndërsa reshje të izoluara mund të shfaqen edhe në pjesën jugore të territorit.

 

Fundjava do të nisë me mëngjese më të freskëta. Të shtunën temperaturat minimale në rang vendi mund të zbresin deri në 8°C, ndërsa gjatë ditës do të vijojë freskimi i lehtë.

 

Të dielën pritet një mëngjes edhe më i freskët, ndërsa temperaturat e mesditës do të jenë më pranë vlerave karakteristike për muajin tetor.

Published inNews Shqip