Skip to content

Pensionistët që kanë paguar më shumë kontribute, ja çfarë po shqyrton Qeveria: rillogaritje pensioni ose pagesë shtesë

Pensionistët që vijojnë të punojnë dhe paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore mund të përfitojnë në të ardhmen nga pagesat që derdhin gjatë periudhës së punësimit. Qeveria po shqyrton mundësinë që këto kontribute të pasqyrohen në një rillogaritje të pensionit ose në një pagesë shtesë për çdo vit sigurimi pas daljes në pension.

Çështja u diskutua edhe në Komisionin për Bujqësinë, ku deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, propozoi që pensionistët e punësuar të përjashtohen nga pagesa e kontributeve shoqërore.

Sipas tij, pensionistët që rikthehen në marrëdhënie pune përballen me një barrë shtesë, pasi vijojnë të paguajnë kontribute edhe pse kanë dalë në pension. Cara ngriti pyetjen nëse këto pagesa duhet t’u kthehen në një formë përfitimi në të ardhmen.

Propozimi për përjashtimin nga kontributet nuk u miratua në komision. Qeveria argumenton se skema e sigurimeve shoqërore bazohet te parimi kontributiv dhe jo te mosha e individit. Sipas zv.ministres së Ekonomisë, Olta Manjani, kontributet e paguara shërbejnë edhe për financimin e pensioneve aktuale dhe një përjashtim i kësaj kategorie do të ndikonte në të ardhurat e skemës.

Ndërkohë, në kuadër të reformës së re të skemës së pensioneve, e cila po hartohet në bashkëpunim me Bankën Botërore, po shqyrtohen dy mundësi për t’u dhënë vlerë kontributeve që pensionistët paguajnë pas daljes në pension.

Alternativa e parë është rillogaritja e pensionit duke marrë parasysh kontributet shtesë, ndërsa e dyta parashikon një pagesë të veçantë për çdo vit sigurimi të paguar pas daljes në pension.

Aktualisht, numri i personave mbi 64 vjeç që vijojnë të jenë të punësuar është mbi 164 mijë. Ndërkohë, pensionistët e vetëpunësuar janë të përjashtuar nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Published inNews Shqip