Tragjedi në Itali, humb jetën 35-vjeçari shqiptar gjatë punës në pyll
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në pyjet e Rasorës, në zonën e Bolonjës në Itali, ku një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident të rëndë pune.
Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali, i cili prej disa vitesh jetonte dhe punonte në Itali. Në momentin e aksidentit, ai ndodhej në pyll së bashku me një koleg, ndërsa po merreshin me prerjen dhe transportimin e pemëve.
Sipas të dhënave paraprake, për lëvizjen e trungjeve përdorej një teleferik i lëvizshëm. Dyshohet se gjatë aktivizimit të mekanizmit, kablloja ishte krijuar në formën e një laku mbi tokë dhe 35-vjeçari kishte futur pa e kuptuar këmbët brenda saj.
Kur mekanizmi u vu në punë, kablloja u tërhoq me forcë dhe e goditi rëndë shqiptarin. Ai u transportua me urgjencë në spital, por plagët e marra rezultuan fatale dhe mjekët nuk mundën ta shpëtonin.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e aksidentit dhe mënyrën se si ndodhi ngjarja.
