Si u bind Erion Braçe për Reformën Territoriale? Blendi Klosi zbulon detaje nga takimi me Ramën
Reforma Territoriale është shoqëruar me debate brenda mazhorancës, ndërsa kundërshtime kanë ardhur edhe nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe opozita, kryesisht për mënyrën e konsultimit publik dhe ndryshimet e propozuara në hartën e bashkive.
Një nga emrat që fillimisht shprehu rezerva për reformën ishte deputeti socialist Erion Braçe, i cili në fund votoi pro nismës.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, me moderatoren Sidorela Gjoni, deputeti i PS-së Blendi Klosi foli për diskutimet brenda grupit parlamentar dhe mënyrën se si u arrit qëndrimi i përbashkët për votimin e reformës.
I pyetur se si u bind Erion Braçe, duke qenë se disa prej deputetëve që kishin shprehur rezerva zhvilluan takime me kryeministrin Edi Rama, Klosi shpjegoi se diskutimet kishin përfshirë edhe çështje të tjera përpara se të trajtohej ndarja territoriale.
Sipas tij, fillimisht duhej të diskutohej për kompetencat e bashkive, financat e tyre dhe hapat që do të ndërmerreshin më tej, përpara se vëmendja të përqendrohej te harta e re.
Gjatë intervistës, Klosi u pyet edhe nëse deputetët kishin votuar nën presionin e deklaratës se kush nuk votonte pro, duhej të largohej.
Ai e mohoi këtë interpretim, duke iu referuar rregullores së grupit parlamentar dhe statutit të Partisë Socialiste.
“Jo, nuk është presion i një fjalie, është e shkruar në rregulloren e grupit parlamentar, në statutin e partisë, kur vota është politike, do të duhet të ndiqet nga të gjithë”, u shpreh Klosi.
Deputeti theksoi se brenda grupit parlamentar secili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe se edhe qëndrimi i Braçes ishte dëgjuar gjatë diskutimeve.
“Padyshim, secili ka mendimin e tij. Edhe unë e dhashë mendimin tim”, deklaroi ai.
Ndërsa moderatorja i kujtoi se Erion Braçe kishte kundërshtuar shkrirjen e Bashkisë së Divjakës, Klosi u përgjigj se mendimet e ndryshme janë pjesë e funksionimit të një force politike.
Sipas tij, diskutimet brenda partisë shërbejnë për të mbledhur qëndrime të ndryshme dhe për të arritur në një vendimmarrje të përbashkët.
“Pse, mendimi i Erionit nuk është dëgjuar?”, tha Klosi, duke nënvizuar se pavarësisht dallimeve në qëndrime, në votimet politike grupi parlamentar duhet të veprojë në mënyrë të unifikuar.
