Skip to content

Tensione dhe përplasje me policinë, protestuesit nuk dorëzohen dhe rikthehen para Ministrisë së Arsimit

Studentët kanë protestuar këtë të martë përpara Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar dhe ka degjeneruar në përplasje me policinë.

 

Protesta nisi me hedhjen e vezëve drejt godinës dhe lyerjen e mureve me sprej. Më pas, të rinjtë shkulën kangjellat metalike dhe morën tulla, të cilat i hodhën në drejtim të ndërtesës, duke thyer xhamat e dritareve.

 

Protestuesit depërtuan brenda rrethimit të ministrisë, ku dëgjoheshin thirrjet “Digje, digje”. Ata tentuan gjithashtu të hapnin me forcë derën e hekurt për të hyrë në godinë, ndërsa hodhën edhe flakadanë.

 

Përballë përshkallëzimit të situatës, policia ndërhyri duke krijuar një kordon sigurie. Efektivët përdorën shkopinj gome dhe shoqëruan protestues, ndërsa gjatë ndërhyrjes nisën edhe arrestimet.

 

Në vendngjarje mbërriti edhe autoboti i ujit, i cili përdori presionin e ujit për të shpërndarë turmën. Gjatë protestës, një prej protestueseve mbeti e lënduar në kokë.

 

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, të rinjtë vijuan të bëjnë thirrje për qëndresë, duke brohoritur “Mos u dorëzoni”.

 

Pas shpërndarjes nga autoboti i ujit, protestuesit kanë nisur të grumbullohen sërish përpara Ministrisë së Arsimit, duke rikthyer tensionet në zonë.

Published inNews Shqip