Skip to content

Përplasje me policinë para Ministrisë së Arsimit, protestuesit rikthehen sërish në shesh

Studentët kanë zhvilluar këtë të martë një protestë përpara Ministrisë së Arsimit, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.

 

Në nisje të protestës, të rinjtë kanë hedhur vezë drejt godinës dhe kanë lyer muret me sprej. Situata është përshkallëzuar më tej, kur protestuesit kanë shkulur kangjella metalike dhe kanë hedhur tulla në drejtim të ndërtesës, duke thyer edhe xhamat e dritareve.

Më pas, ata kanë hyrë brenda rrethimit të ministrisë, duke brohoritur “Digje, digje”. Protestuesit kanë tentuar gjithashtu të hapin me forcë derën e hekurt të godinës, ndërsa kanë hedhur edhe flakadanë.

 

Përballë situatës së krijuar, policia ka ndërhyrë duke vendosur një kordon sigurie. Efektivët kanë përdorur shkopinj gome dhe kanë shoqëruar disa prej protestuesve, ndërsa janë raportuar edhe arrestime.

 

Në vendngjarje ka ndërhyrë edhe autoboti i ujit, i cili ka përdorur presionin e ujit për të shpërndarë turmën. Gjatë protestës, një prej protestueseve ka mbetur e lënduar në kokë.

 

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, të rinjtë kanë vijuar thirrjet për të mos u tërhequr, duke brohoritur “Mos u dorëzoni”.

 

Pas shpërndarjes së parë nga presioni i ujit, protestuesit janë rikthyer sërish dhe kanë nisur të grumbullohen përpara Ministrisë së Arsimit, duke rikthyer tensionet në zonë.

 

Published inNews Shqip