Skip to content

Glauk Konjufca në krye të grupit punues për strategjinë shtetërore në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues që do të merret me hartimin dhe koordinimin e strategjisë shtetërore për fazën e Apelit në rastin e ish-katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

 

Në krye të këtij grupi do të jetë ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Vendimi për themelimin e grupit punues u miratua unanimisht nga kabineti qeveritar gjatë mbledhjes së së mërkurës.

 

Propozimin para ministrave e prezantoi kryeministri Albin Kurti, i cili deklaroi se, sipas vlerësimit të Qeverisë, arsyetimi i vendimit të shkallës së parë në këtë çështje është i padrejtë dhe se synimi është që ai të kundërshtohet në procedurën e Apelit.

 

Kurti theksoi se për këtë proces është e nevojshme të hartohet një strategji shtetërore dhe të bashkërendohen veprimet përtej dallimeve politike.

 

Përveç përfaqësuesve të Qeverisë, në këtë grup pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës. Qëllimi është koordinimi institucional dhe harmonizimi i qëndrimeve për fazën e ardhshme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së./lajmi.net

Published inNews Shqip