Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave të dhunshme që kanë hyrë në ditën e tretë radhazi në Tiranë.
Në një prononcim për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama u shpreh se ndryshimi i qeverisë duhet të bëhet përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes protestave apo revolucioneve.
“Qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, deklaroi kryeministri në përgjigjet e tij me shkrim për Reuters.
Protestat, të udhëhequra nga studentët, lidhen me rritjen e kostove të arsimit dhe shqetësimet për korrupsionin. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës, ndërsa situata në kryeqytet është tensionuar, me përplasje me policinë, dëmtime të pronave dhe përdorimin e topave të ujit për shpërndarjen e turmës.
Përballë kërkesave të protestuesve, Rama tha se është i gatshëm të diskutojë për kostot në rritje të arsimit, por dënoi aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të adresoj shqetësimet legjitime dhe ta ndihmoj Shqipërinë të ecë përpara”, u shpreh ai, duke theksuar se prioritet mbetet përfundimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas Reuters, protestat përbëjnë një nga sfidat më të mëdha politike për Ramën, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar.
Ndërkohë, tensionet e fundit vijnë pas muajsh protestash, kryesisht paqësore, kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë. Projekti, i mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, është përballur me sfida ligjore.
