Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, do të dalë në një konferencë për mediat në orën 16:00, ku pritet të flasë për situatën e krijuar pas tri ditëve të protestave në Tiranë.
Gjatë protestave janë raportuar sulme dhe dëmtime ndaj institucioneve shtetërore, bankave, institucioneve financiare dhe bizneseve private. Sipas raportimeve, persona të maskuar kanë hedhur gurë, sende të forta dhe bomba molotov gjatë përplasjeve.
Mbrëmjen e kaluar, Hita vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e policisë që mbetën të plagosur gjatë incidenteve.
Konferenca e kreut të Policisë së Shtetit pritet të japë më shumë detaje mbi situatën e krijuar, masat e marra dhe veprimet e policisë pas protestave të ditëve të fundit.
