Skip to content

Studentët kërkojnë largimin e Ramës, kryeministri reagon që në mëngjes: Ja çfarë bën!

Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish në terren mëngjesin e sotëm për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në Tiranë pas protestës studentore, ku disa ambiente u shkatërruan dhe u dogjën.

 

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se institucionet do të mbështesin familjet e prekura nga dëmet, duke i ndihmuar të përballojnë situatën dhe të rikthehen në normalitet.

 

Kreu i qeverisë theksoi se aktet e dhunës dhe shkatërrimit nuk përfaqësojnë studentët dhe shqetësimet e tyre. Ai akuzoi opozitën se po nxit tensionet për interesa politike, duke pretenduar se pas ngjarjeve qëndrojnë forca që nuk e duan përparimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian.

 

“Si mund të jetë kjo gërmadhë investimi i prindërve te fëmijët e tyre? Kjo nuk ka lidhje me studentët. E gjithë kjo flakë nuk është studentore”, u shpreh Rama, duke dënuar shkatërrimet dhe përfshirjen e të miturve në protestë.

 

Ai kritikoi gjithashtu personat që, sipas tij, përdorin maskat dhe dhunën për të përshkallëzuar situatën, duke i akuzuar se po rrezikojnë jetën e të rinjve dhe po sulmojnë policinë.

 

Rama hodhi edhe akuza për ndikime të jashtme, duke pretenduar se ka interesa që synojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë. Sipas tij, tensionet po shtohen në një moment kur vendi po bën hapa drejt integrimit në BE.

 

Në fund të reagimit, kryeministri pranoi se qytetarët, studentët dhe sipërmarrësit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga qeveria, por theksoi se problemet duhet të trajtohen pa dhunë dhe shkatërrime.

 

“Durim, edhe kjo do të kalojë. Pasi kjo të kalojë, do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, përfundoi Rama.

 

Published inNews Shqip