Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen prej tri ditësh në Tiranë, duke akuzuar Sali Berishën se qëndron pas akteve të dhunës dhe kaosit në kryeqytet.
Në një video-mesazh, me sfond një nga kioskat e djegura në qendër të Tiranës, Rama deklaroi se protestat e dhunshme nuk përfaqësojnë studentët dhe shqetësimet e tyre, por sipas tij, janë pjesë e një përpjekjeje për të destabilizuar vendin.
“Kjo nuk ka lidhje me studentët, e gjithë kjo flakë nuk është studentore”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se pas situatës së krijuar qëndrojnë persona që, sipas tij, synojnë të nxisin shkatërrimin dhe përplasjet me policinë.
Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme. Ai akuzoi organizatorët se po i nxisin të rinjtë të mbulojnë fytyrat, të dëmtojnë pronën publike dhe të përplasen me forcat e rendit, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Kreu i qeverisë pretendoi se, krahas Berishës, në këtë situatë po ndikojnë edhe faktorë të huaj, të cilët sipas tij nuk e dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rama e cilësoi situatën një sprovë për vendin dhe theksoi se dhuna nuk duhet të bëhet mjet për zgjidhjen e problemeve.
Në fund të mesazhit, kryeministri pranoi se qytetarët, studentët dhe sipërmarrësit kanë të drejtë të kërkojnë përmirësime dhe se problemet e tyre duhet të trajtohen. Megjithatë, ai theksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe jo përmes dhunës.
Rama u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim, duke shprehur bindjen se situata do të kalojë dhe se vendi do të përballet me sfidat përmes dialogut dhe angazhimit të përbashkët.
