Rama reagon në ditën e katërt të protestave studentore: “Pa rezervë e kam dashur Shqipërinë”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në ditën e katërt të protestave studentore, duke publikuar një mesazh në rrjetet sociale përmes të cilit shpreh qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë.
“Pa rezervë e kam dashur Shqipërinë kur e kishin përplasur përtokë dhe pa rezervë e dua sot, kur s’ka forcë në botë që e rrëzon më përtokë”, shkruan Rama.
Mesazhi i kryeministrit vjen në një moment të tensionuar politik dhe shoqëror, ndërsa protestat vijojnë në Tiranë dhe në zona të tjera të vendit. Qytetarët dhe studentët po shprehin pakënaqësitë e tyre përmes tubimeve, ndërsa situata në kryeqytet është shoqëruar me përplasje dhe tensione.
Fillimisht, protesta e sotme u duk se do të zhvillohej në mënyrë paqësore, pa incidente mes protestuesve dhe forcave të rendit. Megjithatë, situata ndryshoi brenda pak minutash.
Tensionet pranë Ministrisë së Arsimit çuan në ndërhyrjen e efektivëve të policisë, të cilët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, protesta vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, në një klimë të tensionuar politike dhe me kërkesa për reagim ndaj shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.
