Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar lidhur me protestat studentore në Shqipëri, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore dhe të shmangin çdo formë dhune.
Në deklaratën e saj, ambasada thekson se dhuna, trazirat, dëmtimi fizik i personave dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të konsiderohen forma të angazhimit qytetar.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Ndërkohë, situata politike në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen edhe të disa përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Tre kongresmenë republikanë, Keith Self, Robert Aderholt dhe Joe Wilson, kanë shprehur shqetësimin e tyre për zhvillimet e fundit, duke vënë në dukje rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve.
Kongresmeni Keith Self ka deklaruar se protestat pasqyrojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe mungesës së besimit te institucionet. Sipas tij, drejtuesit shqiptarë duhet t’u kushtojnë vëmendje kërkesave për ndryshime të rëndësishme politike dhe ekonomike.
“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja totale e shtetit të së drejtës. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, është shprehur Self në platformën X.
Edhe kongresmeni Robert Aderholt ka reaguar për situatën, duke theksuar se qytetarët shqiptarë meritojnë institucione të përgjegjshme, respektim të ligjit dhe lirinë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të shprehur zërin e tij. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, ka deklaruar Aderholt.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe kongresmeni Joe Wilson, i cili ka kërkuar që autoritetet të shmangin përdorimin e dhunës ndaj demonstruesve.

“Po e ndjek me shqetësim të madh përshkallëzimin e krizës në Shqipërinë aleate të NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, ka shkruar Wilson.
Ai ka theksuar gjithashtu se qeveria duhet të përmbahet nga çdo akt dhune ndaj protestuesve, ndërsa të rinjtë shqiptarë duhet të kenë mundësinë të ndikojnë në të ardhmen e vendit të tyre.
Reagimet nga pala amerikane vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë, të shoqëruara me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Sipas raportimeve për zhvillimet e fundit, gjatë tubimeve janë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion nga policia, ndërsa janë raportuar edhe incidente me gurë dhe kokteje Molotov. Përplasjet kanë shkaktuar gjithashtu të lënduar në radhët e efektivëve të policisë.
