Historia e 17-vjeçarit Fadil Balliu prekëse, humbi të atin dhe i ndërprenë ndihmën ekonomike
Mes vështirësive ekonomike dhe kushteve të rënda të jetesës, 17-vjeçari Fadil Balliu përpiqet të vazhdojë përditshmërinë me buzëqeshje dhe dinjitet. I riu, i cili u shoqërua në komisariat pas protestave të dhunshme në Tiranë, ka rrëfyer disa nga vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë.
Fadili tregon se familja e tij ka humbur të atin dhe se, pas kësaj humbjeje, i është ndërprerë edhe ndihma ekonomike. Ai jeton në Bërxullë dhe çdo ditë udhëton me biçikletë për të shkuar në shkollë, ndërsa vështirësitë që përjeton e kanë shtyrë t’i bashkohet protestave.
Rastin e tij e ka bërë publik deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e ka cilësuar historinë e Fadilit si dëshmi se kush po merr pjesë në protesta. Përmes këtij reagimi, ajo ka kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për ndikimin e mundshëm të faktorëve të huaj në protestat e fundit.
“Historia prekëse e Fadilit është dëshmia se kush po proteston sot dhe përse.
Nuk ka as agjenturë të huaj, as duar të errëta, as protestues të importuar! Janë shqiptarë si Fadili, që udhëtojnë me biçikletë për në shkollë dhe të cilëve u ndërpritet çdo ndihmë ekonomike.
Është Shqipëria e harruar, e lënë pa mbështetje dhe pa zë, që sot është ngritur në këmbë”, shkruan Tabaku.
Historia e 17-vjeçarit ka rikthyer vëmendjen te vështirësitë ekonomike me të cilat përballen disa familje dhe te pakënaqësitë që po shprehen përmes protestave në vend.
https://www.facebook.com/watch/?v=1655690569599150
