Meteorologia Tanja Porja ka bërë parashikimin e motit për ditët në vijim, duke paralajmëruar shtim të vranësirave dhe rikthim të reshjeve të shiut në disa zona të Shqipërisë.
Pas një dite me diell dhe temperatura të larta për këtë periudhë, moti pritet të bëhet më i paqëndrueshëm. Gjatë së mërkurës dhe të enjtes parashikohen rrebeshe afatshkurtra shiu, kryesisht në veri dhe në zonat qendrore, ndërsa në jug reshjet do të jenë më të pakta.
E premtja do të sjellë reshje të pakta dhe të përkohshme, kryesisht në orët e para të mëngjesit. E shtuna pritet të jetë pa reshje, ndërsa të dielën vranësirat dhe shiu do të rikthehen në zonat qendrore dhe jugore të vendit.
Sa i përket temperaturave, meteorologia bëri të ditur se ditën e nesërme pritet një rritje e ndjeshme e tyre, me vlerat maksimale që mund të arrijnë deri në 27 gradë Celsius. Pavarësisht vranësirave dhe reshjeve, masat ajrore do të jenë të ngrohta.
Të enjten temperaturat do të shënojnë fillimisht rritje në orët e mëngjesit, ndërsa në mesditë pritet një rënie me rreth 2 gradë. Nga gjysma e dytë e së premtes dhe gjatë fundjavës, temperaturat do t’i rikthehen vlerave tipike të stinës së vjeshtës.
Sipas Tanja Porjës, pas së dielës priten disa ditë me mot të kthjellët, përpara se paqëndrueshmëria atmosferike të rikthehet sërish drejt fundit të muajit tetor.
Meteorologia i bëri këto parashikime në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.
