Puna e padeklaruar dhe kontributet e ulëta, mijëra pensionistë përfitojnë pensione të pjesshme
Puna e padeklaruar dhe mospagimi i kontributeve shoqërore vijojnë të kenë pasoja të drejtpërdrejta në të ardhurat e pensionistëve, duke bërë që një pjesë e madhe e tyre të përfitojnë pensione më të ulëta se sa do të merrnin nëse vitet e punës dhe pagat e tyre do të deklaroheshin plotësisht.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), rreth 353 mijë nga afro 640 mijë pensionistë në vend përfitojnë pension të pjesshëm për shkak të viteve të pamjaftueshme të sigurimit. Kjo shifër është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2024, kur numri i pensioneve të pjesshme ishte rreth 316 mijë.
Në një përgjigje zyrtare për mediat, ISSH bën të ditur se gjatë vitit të kaluar u lidhën rreth 55 mijë pensione të reja. Personat që përfituan këto pensione kishin mesatarisht 24 vite e 6 muaj punë të siguruar, ndërkohë që për të përfituar pension të plotë kërkoheshin 38 vite e 8 muaj sigurime.
Vitet e pakta të punës së siguruar dhe kontributet e ulëta reflektohen drejtpërdrejt edhe në masën e pensioneve. Në fund të vitit 2025, pensioni mesatar i pleqërisë në zonat urbane arriti në 20.123 lekë, duke u rritur me vetëm 514 lekë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, pensioni mesatar rural u rrit me 435 lekë, duke arritur në 12.313 lekë. Në këto vlera përfshihet edhe efekti i indeksimit vjetor të pensioneve, i cili kryhet në muajin tetor.
Përveç viteve të punës të padeklaruara, një tjetër problem që ndikon në uljen e pensioneve është nëndeklarimi i pagave nga bizneset. Kur paga reale nuk pasqyrohet në dokumentacionin zyrtar, kontributet e paguara janë më të ulëta dhe, si rrjedhojë, edhe pensioni i ardhshëm rezulton më i vogël.
Të dhënat tregojnë se pensioni mesatar urban në vitin 2025 përbënte vetëm 23% të pagës mesatare në vend, e cila ishte 86.984 lekë. Ndërsa krahasuar me pagën minimale prej 40 mijë lekësh që zbatohej vitin e kaluar, pensioni urban arrinte në rreth 50% të saj. Me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë këtë vit, kjo përqindje zbret në rreth 40%.
Situata paraqitet edhe më e vështirë për pensionistët në zonat rurale. Pensioni mesatar rural përbënte rreth 13% të pagës mesatare në vend dhe afërsisht 30% të pagës minimale të vitit 2025. Në raport me pagën minimale prej 50 mijë lekësh për këtë vit, pensioni rural përfaqëson vetëm rreth 24% të saj.
Përtej punës së padeklaruar dhe nëndeklarimit të pagave, skema e pensioneve përballet edhe me sfida të tjera, të lidhura me zhvillimet demografike. Rënia e lindshmërisë dhe emigrimi i fuqisë punëtore po pakësojnë numrin e kontribuuesve në raport me përfituesit.
Aktualisht, për çdo 100 pensionistë ka rreth 117 persona të punësuar që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 ky raport pritet të bjerë në 113 të punësuar për çdo 100 pensionistë.
Ky zhvillim shton presionin mbi financat e skemës së pensioneve, e cila prej rreth një dekade vijon të regjistrojë deficit, duke e bërë gjithnjë e më të rëndësishëm formalizimin e tregut të punës dhe deklarimin e plotë të pagave dhe kontributeve shoqërore.
