Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) në Maqedoninë e Veriut pritet të publikojë sot çmimet e reja me pakicë të derivateve të naftës, të cilat do të jenë në fuqi gjatë shtatë ditëve të ardhshme.
Vendimi i ri vjen në një kohë kur çmimi i naftës së papërpunuar në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rritje, duke arritur në 116 dollarë për fuçi. Kjo paraqet një rritje prej rreth gjashtë për qind brenda një jave.
Sipas vendimit të fundit të KRRE-së, çmimet e benzinave u ulën me 2,50 denarë për litër, ndërsa dizeli u shtrenjtua për dy denarë për litër.
Aktualisht, çmimi maksimal me pakicë i Eurosuper BS-95 është 96 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 kushton 98 denarë për litër.
Ndërkaq, Eurodizeli shitet me çmim prej 99 denarësh për litër, kurse Vaji Ekstra i Lehtë për amvisëri kushton 110,50 denarë për litër.
Çmimet e reja që do të shpallen nga KRRE-ja do të përcaktojnë nëse konsumatorët do të përballen me shtrenjtim apo ulje të mëtejshme të derivateve të naftës.
