Ndryshojnë rregullat për patentat/ Kontrollet mjekësore kalojnë online, ja si do të bëhet marrja dhe rinovimi i lejes së drejtimit
Procedura për kontrollet mjekësore të qytetarëve që aplikojnë për marrjen ose rinovimin e patentës së shoferit pritet të ndryshojë, me kalimin drejt një sistemi tërësisht elektronik.
Sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dokumentacioni mjekësor do të plotësohet dhe nënshkruhet elektronikisht nga mjekët, ndërsa rezultatet do t’i përcillen drejtpërdrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Certifikata përfundimtare mjekësore do të jetë e disponueshme për qytetarët nëpërmjet platformës e-Albania, duke eliminuar nevojën për dorëzimin fizik të dokumenteve pranë institucioneve përkatëse.
Udhëzimi nr. 644, datë 2 shtator 2026, i publikuar në Fletoren Zyrtare më 4 nëntor, përcakton mënyrën e re të vlerësimit të aftësive fizike dhe psikike për drejtimin e automjeteve.
Kontrollet do të nisin te mjeku i familjes, ndërsa ekzaminimet te specialistët e shikimit dhe dëgjimit do të mbeten të detyrueshme. Në rastet kur evidentohen probleme shëndetësore, aplikantët mund të referohen edhe te Komisioni Mjekësor për një vlerësim të mëtejshëm.
Komisioni do të vendosë nëse personi është i aftë për drejtimin e automjetit, i aftë me kufizime apo i paaftë për të drejtuar.
Ndryshimi synon të lehtësojë procedurat administrative, të përmirësojë shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve dhe të rrisë sigurinë rrugore.
Megjithatë, procedura e re elektronike nuk nis menjëherë me publikimin e udhëzimit. Zbatimi do të fillojë pas një urdhri të veçantë të ministrit, kur të konfirmohet gatishmëria e sistemeve elektronike.
Deri në atë moment, kontrollet mjekësore do të vijojnë sipas procedurës së mëparshme të vitit 2015.
