Karburantet në Maqedoninë e Veriut pësojnë ulje të ndjeshme, ja çmimet e reja
SHKUP – Çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut do të pësojnë një ulje të konsiderueshme, pas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), i cili ka miratuar lirimin e derivateve të naftës me një mesatare prej 7,51 për qind, në krahasim me çmimet e përcaktuara më 2 nëntor.
Sipas vendimit të ri, benzina Eurosuper BS-95 dhe BS-98 do të kushtojnë 7 denarë më pak për litër. Kështu, Eurosuper BS-95 do të shitet me 86 denarë për litër, ndërsa BS-98 me 88 denarë.
Edhe çmimi i naftës do të pësojë rënie. Dizeli do të kushtojë 94,5 denarë për litër, pas një uljeje prej 5,5 denarësh.
Ndërkohë, vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të lirohet për 6,5 denarë për litër dhe do të kushtojë 103,5 denarë. Edhe mazuti do të shënojë ulje prej 6,26 denarësh për kilogram, duke arritur çmimin prej 49,31 denarësh.
Çfarë ndikoi në uljen e çmimeve?
Sipas informacioneve të publikuara, ulja e çmimeve vjen si rezultat i rënies së kuotimeve të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare, zhvlerësimit të dollarit amerikan ndaj denarit, si dhe masave qeveritare për lehtësimin e barrës fiskale mbi karburantet.
Në kuadër të këtyre masave, akciza për benzinën është ulur për 2 denarë për litër, ndërsa për dizelin për 4 denarë për litër. Gjithashtu, për dizelin është aplikuar norma e reduktuar e TVSH-së prej 10 për qind.
Vendimi pritet të ndikojë pozitivisht në buxhetin e qytetarëve dhe të bizneseve, veçanërisht atyre që varen nga transporti dhe përdorimi i derivateve të naftës.
