“The Albanian Files” vetëm maja e ajsbergut, gazetari holandez paralajmëron: “Nuk kemi parë asgjë akoma”
Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei ka deklaruar se denoncimet e përfshira në librin “The Albanian Files”, që trajtojnë lidhjet mes kryeministrit Edi Rama, kompanive arkitekturore dhe investitorëve privatë, përbëjnë vetëm një pjesë të një historie shumë më të gjerë.
Në një intervistë ekskluzive për SYRI TV, Oei thekson se për të arritur deri te thirrja e kryeministrit Rama në SPAK, është e nevojshme të zbardhen dhe të lidhen fillimisht të gjitha marrëdhëniet mes arkitektëve, kompanive të ndërtimit dhe institucioneve shtetërore.
Sipas gazetarit holandez, libri dokumenton rreth 50 deri në 100 projekte, ndërkohë që në Shqipëri janë miratuar shumë më tepër, përfshirë qindra projekte vetëm në Tiranë.
Oei nënvizon se hetimet duhet të shtrihen përtej projekteve të dokumentuara në libër, duke përfshirë të gjithë sistemin e vendimmarrjes dhe mënyrën e miratimit të projekteve ndërtimore.
“Unë besoj se ky ‘Albanian Files’ është vetëm maja e ajsbergut. Ky libër lidhet vetëm me 50, 60, mbase 100 projekte. Por sa projekte kemi tani? Sa projekte janë miratuar nga KKT-ja? Ka shumë. Nuk i kam numëruar, por vetëm në Tiranë janë qindra. Ne nuk kemi parë asgjë akoma”, deklaroi ai.
I pyetur nëse “The Albanian Files” përbën një dosje të mirëfilltë kriminale dhe jo thjesht një çështje korrupsioni, gazetari holandez u shpreh se korrupsioni është krim si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë moral.
Ai shtoi se për të krijuar një dosje që mund të çojë në thirrjen e Ramës në SPAK, duhet të bashkohen të gjitha provat dhe fijet e marrëdhënieve që lidhen me projektet e ndërtimit dhe investimet private.
Intervista e plotë:
Në vijim, gazetari holandez Vincent van Gerven Oei shpjegon se çfarë duhet të hetohet më tej dhe pse, sipas tij, zbulimet e deritanishme përbëjnë vetëm fillimin e një historie shumë më të madhe.
