Erdogan ndihmoi Ramën me mjete për protestat? Kreu i Policisë sqaron si u siguruan pajisjet speciale
Përdorimi i mjeteve speciale nga Policia e Shtetit gjatë protestave të fundit ka shkaktuar debate të shumta politike dhe publike. Çështja e origjinës së këtyre pajisjeve u ngrit edhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku u kërkuan sqarime mbi mënyrën se si ato janë siguruar.
Përballë pretendimeve se mjetet speciale janë vënë në dispozicion nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan për qeverinë e Edi Ramës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka dhënë versionin zyrtar.
Gjatë raportimit në komision, Hitaj deklaroi se pajisjet nuk janë blerë me para nga buxheti i shtetit dhe as nuk janë dhuruar, por janë marrë në përdorim nga policitë partnere.
“Zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse. Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar”, u shpreh Hitaj.
Megjithatë, gjatë diskutimeve në komision, anëtarët kërkuan të dinin se cili shtet konkretisht ka vënë në dispozicion të Policisë shqiptare autobotet me ujë, dronët dhe pajisjet e tjera teknike.
Kreu i Policisë së Shtetit nuk bëri të ditur emrin e shtetit partner, duke lënë pa përgjigje një nga pyetjet kryesore të ngritura gjatë seancës.
Ndërkohë, në media dhe rrjetet sociale kanë qarkulluar pretendime se pajisjet speciale të përdorura gjatë protestave mund të jenë siguruar nga Turqia, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare.
