Avokati i Veliajt i drejtohet me dy shkresa Burgjeve dhe Shëndetësisë: Kërkon dokumentacionin e plotë mjekësor
Avokati i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, u është drejtuar me dy shkresa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar vënien në dispozicion të dosjes së plotë mjekësore të klientit të tij.
Në kërkesën e tij, Ndreca kërkon që t’i dërgohen pa vonesa raporti dhe imazhet e rezonancës magnetike (MRI), konstatimet e mjekut ortoped, si dhe rekomandimet lidhur me ndërhyrjen kirurgjikale të propozuar.
Sipas avokatit, ky dokumentacion është i nevojshëm për t’u shqyrtuar edhe nga mjekë specialistë të pavarur, në mënyrë që të vlerësohet gjendja shëndetësore e Veliajt.
Në shkresën drejtuar institucioneve, Ndreca thekson se kjo është kërkesa e tij e fundit për dorëzimin e dokumenteve.
“Ju kërkoj për herë të fundit të më vini menjëherë në dispozicion, në rrugë elektronike, dokumentacionin e plotë mjekësor të klientit tim, përfshirë raportin dhe imazhet e MRI-së, konstatimet e mjekut ortoped dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale”, thuhet në kërkesë.
Avokati kërkon gjithashtu që, nëse ka ndonjë pengesë për dorëzimin e dokumentacionit, institucionet ta bëjnë të ditur me shkrim, duke specifikuar bazën ligjore dhe mënyrën e zgjidhjes së saj.
Ndreca ka kërkuar që kërkesa të trajtohet me përparësi dhe dokumentet të përcillen në mënyrë elektronike, përmes një kanali të sigurt, brenda së njëjtës ditë.
“Ju kërkoj trajtimin me përparësi të kësaj kërkese dhe përcjelljen e dokumentacionit në rrugë elektronike, në mënyrë të sigurt, brenda ditës së sotme”, thuhet më tej në shkresën e avokatit.
Kërkesa vjen në kuadër të përpjekjeve të mbrojtjes për të siguruar të gjithë informacionin mjekësor mbi gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt dhe për ta vënë atë në dispozicion të specialistëve të pavarur.
