Një polic ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në qytetin e Oviedos, në veri të Spanjës.
Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e së martës, pasi policia u thirr për të ndërhyrë në një konflikt të dhunshëm mes dy familjeve. Gjatë përplasjes, një burrë kishte qëlluar me armë zjarri një grua të re, e cila, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët zbuluan një çantë shpine të dyshimtë pranë hyrjes së një pallati. Brenda saj ndodhej një pajisje eksplozive, e cila shpërtheu gjatë ndërhyrjes policore.
Sipas sindikatës së policisë JUPOL, shpërthimi ndodhi teksa efektivët po përpiqeshin të largonin çantën nga ndërtesa, me qëllim shmangien e rrezikut për banorët.
Shpërthimi rezultoi fatal për njërin prej policëve, ndërsa kolegu i tij mbeti i plagosur rëndë.
